Biografia Papa Françesku

Papa Françesku, Jorge Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Aires-it, Ipeshkëv për besimtarët e ritit lindor, që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht në Buenos Ajres, më 17 dhjetor 1936, në një familje me origjinë piemonteze. Studioi dhe u diplomua si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin e Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, përfundoi studimet humaniste në Kili dhe në vitin 1963 pasi u kthye në Buenos Ajres, mori diplomën universitare në Filozofi në Fakultetin e Filologjisë të kolegjit “San José” të San Miguel-it.

Ndërmjet viteve 1964 e 1965 ka qenë Profesor letërsie dhe psikologjie në kolegjin e “Zojës së Papërlyer” në Santa Fe. Në vitin 1996 dha mësimin e po këtyre lëndëve në Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Ajres. Nga viti 1967 deri në vitin 1970 studioi teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe diplomën universitare në këtë disiplinë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në vitet 1970-71 përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e më 22 prill 1973 mori kushtet përfundimtare.

Ka qenë mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it, profesor në Fakultetin e Teologjisë, Këshilltar i Provincës së Jezuitëve dhe Rektor i Kolegjit. Më 31 korrik 1973 u zgjodh Provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi për gjashtë vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë Rektor i Kolegjit dhe i Fakultetit të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut Shën Jozef, në Dioqezën e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës. Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga ku, kaloi në kishën e “Shoqërisë së Jezusit” në qytetin e Kordovës, ku kreu detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyesit.

Më 20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi Ipeshkv titullar të Aukës dhe ndihmës të Buenos Ajres. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua Ipeshkv .

Më 3 qershor 1997 u emërua Kryeipeshkv Ndihmës i Buenos Ajres e, më 28 shkurt 1998, kryeipeshkëv i Buenos Ajres, duke zënë vendin e Kardinalit Quarracino, që kishte ndërruar jetë.

U bë, kështu, Primat i Argjentinës.

Nga 6 Nëntori i të njëjtit vit, ishte edhe Ipeshkëv për besimtarët e Ritit Lindor në Argjentinë, që nuk kanë ipeshkv të ritit të tyre.

U krijua kardinal nga Gjon Pali II në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, me titullin e “Shën Robert Belarminit”.

Si kardinal, qe bashkërelator i Përgjithshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkve (tetor 2001) .

Mori pjesë në Konklavin e 18-19 prillit 2005.

Mori pjesë dhe është anëtar i Këshillit Sinodal të Asamblesë XI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkve, nga 2 deri më 23 tetor 2005.

Është anëtar i:

Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve. Kongregatës për Klerin

Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike.

Këshillit Papnor për Familjen

Komisionit Papnor për Amerikën Latine

Këshillit Pas-Sinodal.

Në Kishën e Argjentinës është:

Kancelar i Madh i Universitetit Katolik të Argjentinës

Kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Universitetin Katolik të Argjentinës.

Moderator i Gjykatës Kishtare Kombëtare të shkallës së dytë

Moderator i Gjykatës Ndërdioqezane të Buenos Aires

Nga nëntori i vitit 2005, në nëntorin e vitit 2011, ka qenë kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës

Është autor i librave:

1982: Meditime për rregulltarët

1986: Reflektime për jetën apostolike

1992: Reflektime shprese

1998: Dialogu ndërmjet Gjon Palit II e Fidel Kastros

2003: Të edukosh: kërkesë e pasion

2004: Të punosh për atdheun në heshtje

2006: Korrupsioni e mëkati

2006: Detyra e pushtetit është shërbimi.

Që sot, është Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, me emrin Papa Françesku.